Institucioni I Parasë Elektronike Vodafone m-pesa shpk kushtet dhe Afatet e ofrimit të Shërbimit m-pesa ndaj Klientit




Дата канвертавання25.04.2016
Памер83.29 Kb.

powerpluswatermarkobject357831064


Institucioni i Parasë Elektronike Vodafone M-Pesa SHPK

Kushtet dhe Afatet e ofrimit të Shërbimit M-Pesa ndaj Klientit

1. MARRËVESHJA

Këto janë kushtet dhe afatet (“Kushte dhe Afate”) sipas se cilave ju mund të përdorni shërbimet financiare të Institucionit te Parasë Elektronike Vodafone M-Pesa SHPK (“M-Pesa”), pranimi i të cilave përbën një marrëveshje me fuqi detyruese ndërmjet Klientit dhe M-Pesa. Me nënshkrimin e këtij dokumenti dhe të Formularit të Regjistrimit bashkëngjitur, ju pranoni se jeni regjistruar si Klient i M-Pesa dhe se do të zbatoni këto Kushte dhe Afate gjatë përdorimit të shërbimit përkatës.



Ju duhet t’i lexoni dhe kuptoni plotësisht këto Kushte dhe Afate për përdorimin e Shërbimit M-Pesa përpara se të nënshkruani dhe, nëse nuk jeni dakord me to, nuk duhet të vazhdoni me regjistrimin dhe/ose përdorimin e ShërbimitM-Pesa.

2. PËRKUFIZIME

  1. "Agjent M-Pesa" është personi tregtar i kontraktuar nga M-Pesa për të kryer disa detyra në lidhje me Shërbimin M-Pesa në Republikën e Shqipërisë.

  2. “Blerja e Parasë Elektronike" është blerja nga Klienti me para 'cash' pranë një Agjenti, kundrejt shumave të barazvlefshme, të Parasë Elektronike që kreditohet në Llogarinë e Klientit.

  3. “Monedha” eshte monedha shqiptare LEK, me të cilën operon M-Pesa. Çdo vlerë tjetër që mund të paguhet nga subjekte ndërkombëtare drejt platformës M-Pesa mundet të njihen, konvertohen bazuar në kursin ditor të përditësuar nga Banka e Shqipërisë dhe llogariten nga platforma si vlera të barazvlefshme në monedhën shqiptare LEK.

  4. "Debitim" është largimi i fondeve jashtë Llogarisë së Klientit si pasojë e një transaksioni të kryer nga ana e Klientit.

  5. "Faqja e Internetit M-Pesa" i referohet faqes së M-Pesa në adresën e internetit www.vodafone.al/m-pesa.

  6. "Klienti" është personi në emrin e të cilit është regjistuar një Llogari për Shërbimet M-Pesa.

  7. "Kushtet e Përdorimit" janë këto Kushte dhe Afate siç mund të ndryshohen herë pas here.

  8. “Klient Aktiv M-Pesa” është çdo klient i regjistruar M-Pesa, person juridik ose person fizik i cili në çastin e regjistrimit është mbi 18 vjeç, dhe që ka nënshkruar Kushtet dhe Afatet për ofrimin e Shërbimit M-Pesa, i cili aktivizon Llogarinë M-Pesa në pajisjen celulare dhe është në gjendje të dërgojë, marrë dhe të këmbejë para në dorë 'cash' në para elektronike.

  9. “Klient Pasiv M-Pesa” eshte abonenti i çdo operatori të rrjetit të komunikimeve publike, i cili nuk është i regjistruar si Klient M-Pesa, por që është në gjendje të marrë para elektronike të nisura nga Klienti M-Pesa, dhe t’i këmbejë ato me para në dorë 'cash', tek një nga Agjentët M-Pesa.

  10. "Llogaria" është llogaria e Klientit Aktiv M-Pesa për përdorimin e Shërbimeve M-Pesa, ku mbahet regjistrimi i kryer nga M-Pesa i shumës së Parasë Elektronike të mbajtura nga Klienti përkatës dhe që korrespondojnë me një shumë të barazvlefshme parash në dorë 'cash' të mbajtura nga M-Pesa në emrin e Klientit.

  11. “Llogaria Vodafone M-Pesa" është llogaria bankare që mbahet nga M-Pesa, ku bëhen dhe mbahen të gjitha pagesat nga banka e caktuar në emër të Klientit.

  12. "Marrëveshja" janë këto Kushte dhe Afate të ofrimit të Shërbimit M-Pesa së bashku me Formularin e Regjistrimit, Anekset, Manualin e Klientit, Udhëzimet për Klientin, Listën e Tarifave si dhe kushtet dhe afatet e tjera të njoftuara herë pas here sipas legjislacionit në fuqi dhe rregulloreve të miratuara në zbatim të legjislacionit në fuqi, të cilat të gjitha së bashku janë pjesë integrale e Marrëveshjes.

  13. "Marrësi i Pagesës" është çdo person (përfshirë Klientin, një klient tjetër, një Agjent ose Shitës me Pakicë i Autorizuar) që është përcaktuar nga ana e Klientit Aktiv M-Pesa përmes Shërbimit të të Dhënave të Pastrukturuara Suplementare (USSD) si marrësi i Parasë Elektronike.

  14. “MSISDN" është Numri Dixhital i Rrjetit të Shërbimeve të Integruara të Pajtimtarit Celular i cili i siguron Klientit akses në rrjetet publike të lëvizshme të komunikimit dhe që mund të identifikohet ndërkombëtarisht sipas standarteve të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve. Ky numër përfshin kodin kombëtar, prefiksin e numrit të lëvizshëm dhe numrin e pajtimit.

  15. "Para elektronike" janë instrumenta të pagesave elektronike të emetuara nga M-Pesa që i mundësojnë mbajtësit të tyre të kryejë pagesa elektronike.

  16. "Pikë Shitjeje" është çdo dyqan, njësi tregtare e shitjeve me pakicë që drejtohet nga një Agjent.

  17. "PIN" është kodi numerik që shërben për të verifikuar identitetin e përdoruesit M-Pesa, pra kodi sekret që Klienti zgjedh për të aksesuar dhe përdorur Llogarinë M-Pesa.

  18. “Shërbimi i Dedikuar për Klientët” është Qendra e Shërbimit M-Pesa të Kujdesit ndaj Klientit që telefonohet në numrin pa pagesë 08000555.

  19. “Shërbimi i të Dhënave Suplementare të Pastrukturuara (USSD)” është një protokoll i përdorur nga telefonat celulare të rrjetit GSM për të komunikuar me pajisjet e ofruesit të shërbimeve.

  20. "Shitësi me Pakicë" në kuptim të kësaj Marrëveshje, është një shitës Mallrash dhe/ose Shërbimesh që pranon Para Elektronike nga M-Pesa, për pagimin e mallrave dhe shërbimeve.

  21. "Shërbimi/et M-Pesa" janë shërbimet që ofrohen, reklamohen, administrohen dhe zotërohen ekskluzivisht nga M-Pesa për emetimin dhe tregtimin e Parave Elektronike ndërmjet Klientëve në bazë të Urdhërave të Transfertave duke përfshirë regjistrimin e të gjithë Transaksioneve, verifikimin dhe konfirmimin të gjitha Transaksioneve të përfunduara dhe përditësimin e të dhënave të Llogarisë M-Pesa së Klientit.

  22. "Tarifat" janë tarifat dhe pagesat e tjera që bëhen sipas kësaj Marrëveshje për Shërbimet M-Pesa.

  23. "Transaksion Kreditimi" është çdo transaksion hyrës në Llogarinë e Klientit dhe që kryhet me Para Elektronike, siç verifikohet nga M-Pesa.

  24. “Të dhëna personale” janë çdo informacion në lidhje me një person fizik sipas përcaktimeve të legjislacionit shqiptar përkatës.

  25. "Urdhërat e Transferimit" janë urdhërat e dhëna me SMS për transferimin e Parave Elektronike nga një klient tek tjetri.

3. KËRKESË PËR HAPJE LLOGARIE

  1. Çdo Klient i shoqërisë Vodafone Albania SHA që ka një Kartë SIM aktive të këtij operatori mund të regjistrohet për Shërbimin M-Pesa.

  2. Klienti i detyrohet Vodafone Albania SHA sipas kontratës përkatëse të pajtimit për të gjitha kostot e zbatueshme për përdorimin e shërbimit të komunikimeve elektronike (nëse ka) me qëllim përfitimin e Shërbimeve M-Pesa.

  3. Klienti Aktiv M-Pesa do të paguajë Tarifat e zbatueshme për përdorimin e Shërbimeve M-Pesa dhe këto Tarifa mund të zbriten direkt nga Llogaria M-Pesa përkatëse.

  4. Klienti do të regjistrohet për përfitimin e Shërbimeve M-Pesa te çdo Agjent M-Pesa.

  5. Përpara regjistrimit, Klienti duhet të japë të plota dhe të sakta informacionet e mëposhtme:

      1. Emër/ Mbiemër

      2. Numrin personal të identifikimit / numri NUIS

      3. Adresën postare

      4. Datën e lindjes / themelimit

      5. Numrin e celularit.

  6. M-Pesa ka të drejtë që, në përputhje me rregulloret e brendshme të M-Pesa, të refuzojë aplikimin e një personi që dëshiron të bëhet Klient Aktiv M-Pesa.

  7. Me regjistrimin në Shërbimin M-Pesa dhe aktivizimit të Llogarisë M-Pesa nga telefoni celular i Klientit, pasi të të ketë zgjedhur një PIN sekret, Klienti Aktiv M-Pesa do të ketë të drejtë të përdorë menjëherë Shërbimet M-Pesa.

4. SHËRBIMET M-PESA

  1. Shërbimet M-Pesa i vihen në dispozicion Klientit pas nënshkrimit të këtyre Kushteve dhe Afateve.

  2. M-Pesa do të përpiqet të sigurojë përdorim të plotë të rrjetit për të aksesuar Shërbimet M-Pesa brenda zonës së mbulimit. Megjithatë, M-Pesa nuk garanton që Shërbimet M-Pesa do të jenë të disponueshme në çdo kohë dhe nuk mban përgjegjësi dhe nuk do të jetë e detyruar të mbartë detyrime në lidhje me asnjë lloj dëmi të shkaktuar Klientit Aktiv ose Pasiv M-Pesa, pavarësisht nga shkaku. Shërbimet M-Pesa nuk ofrohen pa defekte dhe faktorë të tillë, duke përfshirë por pa u kufizuar në, veprat e Zotit, topografinë gjeografike, kushtet e motit, mirëmbajtjen e planifikuar apo punimet në rrjet, mund të kenë ndikim negativ në cilësinë dhe ofrimin e Shërbimeve M-Pesa. Po kështu, M-Pesa nuk do të ngarkohet me përgjegjësi për mosofrimin e shërbimeve M-Pesa për shkak të faktorëve të jashtëm që nuk janë në kontrollin e M-Pesa.

  3. Në rast dëmtimi, humbjeje apo vjedhjeje të Kartës SIM, Klienti Aktiv M-Pesa ka detyrimin të njoftojë menjëherë Vodafone Albania SHA dhe M-Pesa për dëmtimin, humbjen apo vjedhjen në fjalë dhe/ose të kërkojë pezullimin e ofrimit të shërbimeve të Kartës SIM apo të Shërbimeve M-Pesa.

  4. Në rast se kodi PIN për përdorimin e Shërbimeve M-Pesa ka humbur apo i është zbuluar një pale të tretë, Klienti ka detyrimin të njoftojë menjëherë M-Pesa në lidhje me humbjen apo zbulimin e kodit PIN dhe të kërkojë pezullimin e Shërbimit M-Pesa.

  5. Për të gjitha Tarifat e aplikuara dhe Transaksionet e kryera deri në marrjen e njoftimit nga Klienti për dëmtimin, humbjen apo vjedhjen e Kartës SIM, mban përgjegjësi vetëm Klienti; as M-Pesa as Vodafone Albania SHA nuk do të ngarkohen me përgjegjësi për këto Tarifa dhe Transaksione. Njoftimi në lidhje me dëmin, humbjen apo vjedhjen mund të bëhet duke telefonuar Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa në numrin 08000555, i cili ofrohet 24 orë në ditë dhe 7 ditë të javës. Klienti do të dëmshpërblehet nga M-Pesa dhe Vodafone Albania SHA ndaj pretendimeve të ngritura në lidhje me Tarifa dhe/ose Transaksionet e kryera me pajisjen celulare dhe kartën SIM të Klientit pas marrjes së njoftimit nga M-Pesa.

  6. Me nënshkrimin e Kushteve dhe Afateve, Klienti pranon se për të mundësuar dhënien e përgjigjeve ndaj kërkesave, përfshirë por pa u kufizuar, të organeve e qeverisjes qendrore e vendore apo rregullatore, M-Pesa mund të kërkoje informacion personal apo dokumente të Klientit, përfshirë por pa u kufizuar, nga subjektet si më poshtë:

    1. organet zbatuese të legjislacionit vendas dhe/ose të huaj, organet kompetente rregullatore apo të qeverisjes qendrore ose vendore me qëllim parandalimin, zbulimin apo ndjekjen penale të veprimtarive kriminale ose mashtrimit;

    2. ofruesit tanë të shërbimeve, tregtarët, agjentët apo çdo shoqëri tjetër që është apo bëhet filial i M-Pesa, shoqëria mëmë apo partnere, për qëllime të arsyeshme tregtare e lidhur me përdorimin e shërbimit celular apo të Shërbimeve M-Pesa, si qëllime marketingu, në rastet kur Klienti ka dhënë pëlqimin si dhe për qëllime të lidhura me kërkime, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe me parashikimet e kësaj Marrëveshjeje; avokatët, auditorët e M-Pesa apo gjykata kompetente, në lidhje me një proçedurë ligjore apo proçes auditimi (pavarësisht nëse këto proçedime mund të jenë me natyrë publike ose jo).

  1. Klienti duhet të veprojë në përputhje me të gjitha udhëzimet që mund t’i jepen dhe/ose publikohen herë pas here për Shërbimet M-Pesa.

  2. Komunikimet e Klientit me Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa do të monitorohen apo regjistrohen për qëllime përdorimi në praktikat e punës, si kontrolli i cilësisë, trajnime, garantimi i funksionimit efikas të sistemeve, përmirësimin e shërbimeve dhe produkteve të ofruara, parandalimi i përdorimit të paautorizuar të sistemeve të telekomunikacionit e zbulimi dhe parandalimi i veprimtarive kriminale.

5. PRANIMI DHE FILLIMI I ZBATIMIT TË KUSHTEVE DHE AFATEVE

  1. Klienti prezumohet se i ka pranuar këto Kushte dhe Afate dhe Tarifat përkatëse, siç do të ndryshohen herë pas here, dhe që hyjnë në fuqi me nënshkrimin e Formularit të Regjistrimit.

6. PEZULLIMI DHE NDËRPRERJA E SHËRBIMEVE / MBYLLJA E LLOGARISË

  1. Në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe proçedurën e M-Pesa për pezullimin e Shërbimit M-Pesa, pjesë e Udhëzimeve për Klientin, M-Pesa mund të pezullojë, kufizojë ose përfundojë, tërësisht ose pjesërisht, ofrimin e Shërbimeve M-Pesa dhe/ose të mbyllë Llogarinë e Klientit pa informuar atë dhe/ose pa asnjë detyrim çfarëdo qoftë (megjithëse M-Pesa do të kryejë të gjitha veprimet e mundshme për të informuar Klientin që ky veprim është kryer ose do të kryhet në rrethanat e mëposhtme:

    1. nëse M-Pesa merr dijeni apo ka arsye të besojë se pajisja celulare apo kodi PIN / MSISDN i Klientit për përdorimin e Shërbimeve M-Pesa po përdoret ose eshte përdorur më parë në mënyrë të paautorizuar, të paligjshme, të papërshtatshme ose për veprimtari kriminale;

    2. nëse Klienti nuk përmbush Kushtet dhe Afatet në lidhje me Shërbimet M-Pesa;

    3. nëse Klienti njofton se pajisja celulare ka humbur apo është vjedhur apo kodi PIN ka humbur apo i është gjetur një pale tjetër;

    4. nëse Klienti e përdor, apo lejon përdorimin, Pajisjes Celulare në një mënyrë që M-Pesa mendon se mund të dëmtojë apo cënojë funksionimin apo sigurinë e rrjetit apo të Shërbimeve M-Pesa;

    5. për arsye që janë jashtë kontrollit të M-Pesa, duke përfshirë por pa u kufizuar, ne forcën madhore, masa të organeve përkatëse rregullatore apo ato të qeverisjes qendrore ose vendore;

    6. Kur M-Pesa mbyll Llogarinë e Klientit bazuar në këto Kushte dhe Afate.

  2. Për të aksesuar Shërbimet M-Pesa, karta SIM e Klientit duhet të jetë aktive në çdo çast, në kuptim të Ligjit nr.9918 datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe rregulloreve të dala për zbatim të tij. Nëse karta SIM e Klientit qëndron jo-aktive për një periudhë të vazhdueshme prej 180 ditësh Llogaria e tij M-Pesa do të mbyllet automatikisht nga M-Pesa dhe gjendja pozitive që ndodhet në Llogari do t’i paguhet Klientit sipas parashikimit të nenit 6.5 të kësaj marrëveshjeje.

  3. M-Pesa do të mbyllë Llogarinë M-Pesa brenda 5 (pesë) ditë pune me marrjen e kërkesës nga ana e Klientit për të mbyllur Llogarinë M-Pesa.

  4. Nëse Klienti nuk kryen asnjë veprim me llogarinë e tij M-Pesa për një periudhë të vazhdueshme prej 180 ditësh, llogaria e tij kalon në gjendje pezullimi. Klienti ka mundësinë të kërkojë ri-aktivizimin e llogarisë së tij përmes një telefonate tek Shërbimi i Dedikuar për Klientët M-Pesa brenda 30 ditëve nga dita e pezullimit të llogarisë. Nëse brenda këtyre 30 ditëve Klienti nuk kërkon ri-aktivizimin e llogarisë, llogaria e tij M-Pesa mbyllet përfundimisht. Në këtë rast, Klienti ka të drejtë të kërkojë kthimin e gjendjes pozitive të mbetur në llogarinë e tij sipas parashikimit të nenit 6.5 të kësaj marrëveshjeje.

  5. Në rast të zgjidhjes së kësaj Marrëveshjeje dhe mbylljes së llogarisë M-Pesa, instrumenti i parasë elektronike i mbetur gjendje në llogari do të shkatërrohet dhe Klienti ka të drejtën për të kërkuar kundërvleftën në para në dorë 'cash' të shumës tepricë sipas parashikimeve të dhëna në pikën 3 të Udhëzimeve për Klientin (Aneksi 1) i kësaj Marrëveshjeje.

  6. Klienti ka të drejtë të kërkojë pagimin e parasë elektronike në përputhje me proçedurën e këmbimit të parave të zbatuara nga M-Pesa në Udhëzimet për Klientin.

  7. M-Pesa nuk do të mbajë përgjegjësi ndaj Klientit për, përfshirë por pa u kufizuar, dëme direkte, indirekte, pasuese apo të veçanta që lindin si pasojë e një veprimi apo mosveprimi nga ana e M-Pesa apo e një pale të tretë për të cilën M-Pesa është përgjegjëse, qoftë nëse këto pasoja lindin për shkak të Marreveshjes apo parashikimeve ligjore, që kanë të bëjnë dhe vijnë si rezultat i mbylljes apo pezullimit të Llogarisë M-Pesa të Klientit.

7. TARIFAT

  1. Tarifat e përshkruara në Listën e Tarifave dhe të publikuara në Faqen e Internetit të M-Pesa, paguhen për çdo Transaksion të kryer nga Llogaria M-Pesa e Klientit. Lista e Tarifave ndryshohet vetëm me vendim të M-Pesa dhe gjendet në Faqen e Internetit të M-Pesa dhe mjetet e tjera te komunikimit të M-Pesa. Njoftimi në lidhje me ndryshimet në fjalë do të bëhet sipas nenit 12 të këtyre Kushteve dhe Afateve.

  2. M-Pesa do të zbresë nga Llogaria M-Pesa e Klientit Tarifat e pagueshme për çdo Transaksion, pas përfundimit të tij dhe balanca e re në përfundim të Transaksionit do t'i njoftohet Klientit me SMS.

  3. Në zbatim të legjislacionit fiskal, Tarifat e aplikuara janë jashtë objektit të TVSH, por i nënshtrohen taksave dhe tatimeve të tjera përkatëse sipas dispozitave në fuqi në një periudhë kohore të caktuar. Gjithsesi, në rast ndryshimesh në legjislacionin fiskal, nëse TVSH do të jetë e zbatueshme, ajo do t'i shtohet tarifimit përkatës.

  4. Të gjitha Tarifat e pagueshme nga Klienti në lidhje me përdorimin e Shërbimeve M-Pesa dhe për të cilat Klienti do të konsiderohet se ka marrë dijeni, do të debitohen nga Llogaria M-Pesa përkatëse pa njoftim të veçantë.

8. TRANSAKSIONET

  1. Të gjitha Debitimet nga Llogaria e Klientit do të kryhen sipas Udhëzimeve të Transferimit të autorizuara me kodin PIN që Klienti ka zgjedhur gjatë regjistrimit ose përmes mënyrës që M-Pesa mund t'i përshkruajë herë pas here. Përpara çdo Transaksioni me para në dorë 'cash' për dërgim ose marrje të hollash që mund të kryhet, do të kërkohet të verifikohet identiteti i Klientit. Karta e identitetit ose pasaporta e paraqitur do të regjistrohet nga Agjenti M-Pesa për çdo Transaksion dërgim/marrje parash në dorë 'cash'.

  2. Llogaria M-Pesa e Klientit do të kreditohet kur të blihet Para Elektronike duke bërë pagesa apo kur Paratë Elektronike të transferohen në Llogarinë M-Pesa të Klientit nga një Klient tjetër.

  3. Klienti nuk mund të kryejë Transaksione nga Llogaria M-Pesa përkatëse në rast se nuk ka mjaftueshëm Para Elektronike në Llogarinë M-Pesa përkatëse për të kryer Transaksionin dhe për të paguar Tarifat e zbatueshme në lidhje me të dhe/ose në rast se ka arritur limitin e lejuar (shih seksionin mbi Limitet).

  4. Sistemi M-Pesa do të kërkojë të verifikojë dhe konfirmojë të gjithë Transaksionet e kryera nga Llogaria M-Pesa e Klientit, së bashku me gjendjen e balances së përditësuar të Llogarisë M-Pesa të Klientit, duke i dërguar një SMS. Veprimet e regjistruara në sistemin M-Pesa do të konsiderohen të rregullta derisa të vërtetohet e kundërta.

  5. Me hapjen e Llogarisë M-Pesa, Klienti do të jetë në gjendje të kryejë Transaksionet e mëposhtme:

    1. një Transaksion Krediti duke bërë një pagesë me para në dorë 'cash' drejtpërdrejtë ndaj një Agjenti M-Pesa në këmbim të një shume të barazvlefshme Parash Elektronike që do të kreditohet në Llogarinë M-Pesa të Klientit. Pasi të jetë kryer Transaksioni i Kreditimit, sistemi M-Pesa do të kreditojë përkatësisht Llogarinë M-Pesa të Klientit.

    2. një Transaksion Debitimi duke:

        • Shkëmbyer Para Elektronike me para në dorë 'cash' tek Agjenti, duke dërguar drejt M-Pesa Udhëzimet e Transferimit, në zbatim të të cilave Agjenti M-Pesa do ti paguajë Klientit shumën e barazvlefshme me para në dorë 'cash'.

        • Transferuar Para Elektronike drejt një Klienti tjetër, duke dërguar Udhëzime Transferimi drejt M-Pesa për Llogarinë M-Pesa të këtij Klienti, duke specifikuar shumën që do të transferohet.

        • Blerë kohë komunikimi të Vodafone Albania SHA, duke dërguar udhëzime për rimbushje drejt M-Pesa dhe duke dhënë një Udhëzim Transferimi për shumën korresponduese të Parave Elektronike ndaj Vodafone Albania SHA si Marrësi i Pagesës.

        • Blerë mallra dhe shërbime nga Shitësit e Autorizuar me Pakicë duke përcaktuar në Udhëzimet e Transfertës shumën që duhet transferuar në Llogarinë e Shitësit të Autorizuar..

    3. Me kryerjen e një Transaksioni Kreditimi dhe Transaksioni Debitimi, sistemi M-Pesa do të kreditojë apo debitojë Llogarinë M-Pesa të Klientit, sapo të kryhet kreditimi i shumës, tërheqja apo transferimi nga Llogaria M-Pesa përkatëse.

    4. Transfertat drejt Klientit M-Pesa Pasivë që nuk tërhiqen nga pritësi brenda 7 (shtatë) ditësh nga dhënia e Urdhërit të Transferimit për transaksionin në fjalë do të anulohen automatikisht dhe Klientit do t’i dërgohet njoftim me SMS në lidhje me anullimin së bashku me Urdhrin e Transaksionit. Transaksionet e ekzekutuara duke përdorur kodin PIN do t’i tarifohen Llogarisë së Klientit. Klienti pranon që, vetëm nëse dhe derisa M-Pesa të marrë njoftim se kodi PIN përkatës nuk është i sigurt dhe/ose se pajisja celulare/karta SIM ka humbur apo është vjedhur apo është falsifikuar/kopjuar, M-Pesa do të vazhdojë përdorimin e kodit PIN si mjet i besueshëm se Transaksioni i Debitit është autorizuar nga ana e Klientit, edhe nëse ai është bërë në fakt pa autorizimin e Klientit. M-Pesa nuk do të kërkojë konfirmim me shkrim për Urdhrin e Transaksionit të kryer normalisht përmes përdorimit të kodit PIN.

    5. M-Pesa nuk mund të kthejë/anullojë apo të ritarifojë Urdhrat e Transaksioneve përveç rasteve specifike kur Urdhërat e Transferimit përmbajnë gabime në lidhje me shumën e urdhëruar apo detaje të MSISDN të marrësit. Detajet për anullimin e transfertave i gjeni ne Udhëzimet për Klientin.

  6. Çdo Transaksion do të shoqërohet me një numër unik që do të dërgohet me SMS-në e konfirmimit së bashku me balancën e përditësuar të Llogarisë M-Pesa përkatëse.

9. SIGURIA DHE PËRDORIMI I PAAUTORIZUAR

  1. Vetëm një kod PIN mund të lidhet me Llogarinë M-Pesa te Klientit në çdo kohë dhe vetëm Klienti mund të përdorë pajisjen celulare dhe numrin PIN përkatës.

  2. Klienti ka përgjegjësi për ruajtjen dhe përdorimin e përshtatshëm të pajisjes celulare, për ruajtjen dhe mbajtjen e kodit PIN dhe për të gjithë Transaksionet që do të kryhen në Llogarinë M-Pesa duke përdorur kodin PIN përkatës. Klienti përgjigjet për kryerjen e të gjitha Transaksioneve në përputhje me parashikimet e kësaj Marrëveshjeje.

  3. Klienti M-Pesa ka detyrimin të njoftojë menjëherë M-Pesa në lidhje me ndryshimin e të dhënave personale.

  4. Klienti duhet të njoftojë menjëherë Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa dhe do t’i japë atyre të dhënat e kërkuara në lidhje me identitetin në rast se ka ndodhur një nga ngjarjet si më poshtë:

  • Vihet re se ka ndodhur një abuzim apo veprimtari mashtrimi në lidhje me kodin PIN dhe se përmes këtij veprimi palë të treta kanë marrë akses në Llogarinë M-Pesa;

  • Janë kryer Transaksione pa miratimin paraprak të Klientit;

  • Vihet re një gabim apo mospërputhje në balancën e Llogarisë M-Pesa të Klientit;

  • Llogaria e Klientit është shkatërruar, keqpërdorur, humbur, falsifikuar/kopjuar.

10. PËRDORIMI I TË DHËNAVE PERSONALE
1. M-Pesa siguron ruajtjen e fshehtësisë së të dhënave personale të Klientit dhe Transaksioneve të tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parashikimet e kësaj Marrëveshjeje. Në veçanti, M-Pesa merr përsipër të respektojë fshehtësinë e Klienteve M-Pesa dhe t’i trajtojë të dhënat personale të klienteve me përkujdesjen e duhur, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe qëllimet e lejuara të veprimtarisë tregtare. Në veçanti, kur të dhënat personale të Klientit mbahen në një shtet tjetër për llogari të M-Pesa, M-Pesa garanton se transferimi do të kryhet sipas parashikimeve të legjislacionit shqiptar.

2. Për sa kohë posedohen nga M-Pesa, M-Pesa do të mbledhë dhe ruajë të dhënat personale të Klientëve të saj (duke përfshirë informacione në lidhje me Transaksionet dhe informacion personal të dhënë përmes kësaj Marrëveshjeje dhe Formularit të Regjistrimit) në përputhje me nevojat e biznesit dhe kushtet dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, si dhe do ta vendosë këtë informacion në dispozicion të Klientëve me paraqitjen nga ana e tyre të kërkeses me shkrim.



3. Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje, Klienti njeh dhe pranon se M-Pesa apo Agjentët M-Pesa mund të kontaktojnë herë pas here me Klientin përmes postës, telefonit, postës elektronike ose SMS për të rejat në lidhje me shërbimin e ofruar dhe të pranuar nga Klienti (p.sh. ofrimi i shërbimeve të kujdesit ndaj klientit, deklarata e pagesës/kreditit, bllokimi i kartës, etj.). Nëse Klienti Aktiv M-Pesa vendos që të mos marrë komunikime të këtij lloji, ai/ajo mund ta kërkojë këtë pa pagesë, në çdo kohë, duke kontaktuar Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa.

11. PËRGJEGJËSITË E KLIENTIT

  1. Klienti përgjigjet për të gjitha Tarifat e zbatueshme për Transaksionet e kryera, duke përfshirë dhe thirrjet e kryera në rrjetin e Vodafone Albania SHA përmes pajisjes celulare, qoftë të kryera nga ai/ajo apo nga dikush tjetër pa autorizimin apo dijeninë e Klientit.

  2. Klienti është i vetmi person përgjegjës për informacionin dhe komunikimet e transmetuara, të klasifikuara si komunikime shpifëse, të paligjshme apo në shkelje të të drejtave të autorit (copyright), dhe M-Pesa shkarkohet nga përgjegjësitë kundrejt çdo pretendimi dhe shpenzimi të shkaktuar në lidhje me pretendimet dhe shpenzimet e pretenduara kundrejt M-Pesa në lidhje me këtë.

  3. Klienti nuk duhet t’i përdorë Shërbimet M-Pesa për kryerjen e veprimeve në shkelje të legjislacionit shqiptar.

12. NDRYSHIME TË KUSHTEVE DHE TARIFAVE

  1. M-Pesa ka të drejtën të ndryshojë në çdo kohë këto Kushte dhe Afate dhe Tarifat. Këto ndryshime do t’i njoftohen Klientit 7 (shtatë) ditë përpara kryerjes së ndryshimeve me anë të një njoftimi në të paktën 3 (tre) gazeta kryesore të shtypit të përditshëm, me anë të një SMS-je tek numri i telefonit të Klientit i lidhur me Shërbimin M-Pesa, ose nëpërmjet Faqes së Internetit të M-Pesa dhe duke përdorur çdo mjet të përshtatshëm publik. Me kalimin e afatit 7 (shtatë) ditor, Klienti do të konsiderohet se është njoftuar për këto ndryshime.

  2. Me vazhdimin e përdorimit të Shërbimeve M-Pesa pas hyrjes në fuqi të Kushteve dhe Tarifave të ndryshuara të përdorimit, Klienti do të konsiderohet se ka rënë dakord për ndryshimet e parashikuara më sipër. Nëse Klienti nuk është dakord me një nga ndryshimet, atëherë ai/ajo nuk duhet të vazhdojë të kryejë Transaksione dhe duhet të paraqitet në njërin prej Agjentëve M-Pesa për të kërkuar zgjidhjen e Marreveshjes së shërbimit M-Pesa brenda afatit 7 (shtatë) ditor të njoftimit, përndryshe do të konsiderohet se i ka pranuar këto ndryshime.

13. PËRGJEGJËSIA DHE PËRJASHTIMET NGA PËRGJEGJËSITË

  1. Në rast se M-Pesa do të jetë e detyruar të ndryshojë apo të ricaktojë numrin celular të Klientit në përputhje me kërkesat rregullatore apo për çfarëdo arsye tjetër, detyrimi i M-Pesa kufizohet në ruajtjen e Llogarisë M-Pesa të Klientit dhe, kur është e mundur, transferimin e Llogarisë M-Pesa përkatëse në një MSISDN të ri, në të kundërt, Klienti mund të kërkojë mbylljen e Llogarisë dhe të kërkoni t’i kthehen fondet e disponueshme.

  2. Të gjithë Agjentët M-Pesa përfaqësojnë pika shitjeje të autorizuara dhe të pavarura nga M-Pesa.

  3. M-Pesa nuk do të mbajë përgjegjësi për humbjet që Klienti mund të pësojë gjatë përdorimit të M-Pesa, përveç rasteve kur këto janë shkaktuar kur:

      1. Transaksioni nuk është ekzekutuar ose është ekzekutuar gabim; dhe

      2. Transaksioni nuk është autorizuar nga Klienti, si dhe për gabime apo pasaktësi të shkaktuara nga M-Pesa, në lidhje me mbajtjen e Llogarisë M-Pesa të Klientit.

  4. Mbulimi i detyrimeve financiare sipas parashikimeve më sipër, përfshin vetëm:

      1. vlerën e transaksionit të paekzekutuar ose të ekzekutuar gabim;

      2. shumën e nevojshme për të rikthyer tepricën e Llogarisë M-Pesa të Klientit në gjendjen e mëparshme, përpara kryerjes së Transaksionit të paautorizuar.

14. PASQYRA E VEPRIMEVE TË LLOGARISË

  1. Klienti mund të marre një raport të balancës nga pajisja celulare dhe të kërkojë informacion për Transaksionet e kryera përmes pajisjes celulare ose duke u paraqitur në dyqanet M-Pesa ose duke telefonuar Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa sipas përshkrimit në Udhëzimet për Klientin.

  2. Me kërkesën e Klientit, mund te vihen në dispozicion të Klientit deklarata të printuara të Llogarisë M-Pesa përkatëse. Proçedurat për këtë shërbim janë përcaktuar në Udhëzime për Klientin.

15. MOSFUNKSIONIM APO KEQFUNKSIONIM I PAJISJEVE

  1. M-Pesa nuk është përgjegjëse për humbje që lindin për shkak të mosfunksionimit, keqfunksionimit apo vonesave në rrjetet e komunikimeve elektronike, pajisjeve celulare apo pajisjeve të tjera fundore, që rezultojnë nga rrethana përtej kontrollit të arsyeshëm.

16. NJOFTIMET

  1. M-Pesa ka të drejtë t'i dërgojë Klientit informacion dhe njoftime në lidhje me këtë Marrëveshje dhe Shërbimin M-Pesa të ofruara nga M-Pesa dhe të pranuara nga Klienti, përmes SMS-ve si dhe mjeteve të tjera të komunikimit dhe në adresat që Klienti ka vënë në dispozicion në Formularin e Regjistrimit.

  2. Njoftimet nga Klienti M-Pesa duhet të dërgohen në adresën: Shoqëria “Vodafone M-Pesa” SHPK, Autostrada Tiranë-Durrës, Rr.“Pavarësia”, Nr.61, Kashar, Tiranë, ose duke kontaktuar Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa në numrin 08000555 ose sipas ndryshimeve që mund të bëhen të ditura herë pas here.

17. TË NDRYSHME

  1. Kjo Marrëveshje, siç do të mund të ndryshohet herë pas here, përbën një marrëveshje të detyrueshme nga ana ligjore, për Klientin, trashëgimtarët e Klientit dhe personat e autorizuar nga Klienti.

  2. Kjo Marrëveshje nuk mund t’i kalohet apo transferohet asnjë personi tjetër.

  3. Mospërmbushja e detyrimeve të kësaj Marrëveshjeje apo vonesa e shkaktuar nga M-Pesa apo Klienti M-Pesa në ushtrimin e të drejtave apo detyrimeve sipas kësaj Marrëveshjeje nuk do të interpretohet si heqje dorë prej tyre dhe ushtrimi vetëm i një të drejte apo detyrimi, apo ushtrimi i pjesshëm i të drejtave dhe detyrimeve, nuk do të pengojë ushtrimin e mëvonshëm apo të ndryshëm të tyre apo ushtrimin e një të drejte apo detyrimi.

  4. Nëse një parashikim në këto Kushte dhe Afate deklarohet si i pavlefshëm apo i pazbatueshëm nga një gjykatë apo organ administrativ kompetent, pavlefshmëria dhe pazbatueshmëria e këtij parashikimi nuk do të prekë vlefshmërime dhe/ose zbatueshmërine e parashikimeve te tjera të kësaj Marrëveshjeje.

  5. Në Faqen zyrtare të M-Pesa, në Manualin e Klientit dhe Udhëzimet për Klientin , mund të gjeni: udhëzime për përdorimin e Shërbimeve M-Pesa dhe kryerjen e Transaksioneve, pajisjet ku mund të kryhen Shërbimet M-Pesa, shërbimet dhe transaksionet që ofrohen nga M-Pesa dhe mund të kryhen përmes M-Pesa;

  6. Tarifat e përdorimit dhe kufijtë minimalë dhe maksimalëTransaksioneve të lejuara gjenden në Faqen zyrtare të M-Pesa.

  7. M-Pesa nuk mban përgjegjesi ndaj Klienteve për dëmet indirekte që mund të vijnë si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të palëve të treta të lidhura me M-Pesa për arsye të parashikimeve kontraktore apo ligjore.

  8. Klienti është në dijeni dhe pranon se bashkëbisedimet e tij/saj me Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa do të regjistrohen dhe ruhen nga M-Pesa në përputhje me parashikimet e legjislacionit shqiptar në fuqi.

  9. Të gjitha të drejtat e autorit (copyright), markat tregtare dhe të drejta të tjera të pronësisë intelektuale të përdorura gjatë dhënies së Shërbimeve M-Pesa janë të regjistruara në pronësi të M-Pesa. Ju nuk mund të krijoni asnjë përfitim në lidhje me to.

18. JURIDIKSIONI DHE ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE

  1. Këto Kushte dhe Afate hartohen dhe udhehiqen nga legjislacioni shqiptar. Mosmarrëveshjet e mundshme që mund të lindin midis palëve gjatë kohëzgjatjes së kësaj Marreveshje do të zgjidhen nga gjykata kompetente shqiptare.

  2. M-Pesa ka detyrimin të dëgjojë çdo kërkesë nga Klienti në lidhje me zgjidhjen e problemeve që mund të lindin në lidhje me Transaksionet, në përputhje me udhëzimin përkatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe paraqitjen e pretendimeve që është pjesë e Udhëzimeve për Klientin.

19. VLEFSHMËRIA

  1. Marrëveshja lidhet për një periudhë kohe të pacaktuar, duke filluar nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes me Klientin e cila nënshkruhet se bashku dhe në të njëjtën kohë me Formularin e Regjistrimit.

  2. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e njëanshme të Marrëveshjes në përputhje me parashikimet e saj, duke i dhënë palës tjetër njoftim me shkrim 30 (tridhjetë) ditë përpara.

  3. Në rast se M-Pesa do të ofrojë shërbime të tjera për Klientin apo do të bëjë oferta të tjera specifike, të cilat do të jenë të kufizuara në kohë për konsum, kushtet dhe afatet e kësaj Marrëveshjeje do të zbatohen në masën që nuk përbejnë shkelje të kushteve dhe afateve specifike të marrëdhënieve në lidhje me ofertën perkatese.

20. PRANIMI I KUSHTEVE DHE AFATEVE NGA KLIENTI DHE GARANCITË E KLIENTIT

  1. Klienti i njeh plotësisht Kushtet dhe Afatet dhe i pranon ato pa rezerva.

  2. Kjo Marrëveshje dhe shtojcat e saj përpilohen në 2 (dy) ekzemplare, të cilat kanë të njëjtën përmbajtje në gjuhën Shqipe, nga të cilat 1 (një) kopje mbahet nga M-Pesa dhe 1 (një) mbahet nga Klienti M-Pesa. Të dy ekzemplaret nënshkruhen dhe vulosen nga palët.



Aneks 1 i Kushteve dhe Afateve të ofrimit të Shërbimit M-Pesa

  1. Udhëzime mbi proçedurën e paraqitjes së ankesave dhe zgjidhja e tyre

Klientët M-Pesa mund të paraqesin ankesë për çështje të ndryshme të lidhura me Shërbimet M-Pesa. Më poshtë radhiten mënyrat përmes të cilave Klienti M-Pesa paraqet ankesën e tij:

    1. Telefonata falas në numrin e Shërbimit të Dedikuar për Klientët M-Pesa - 08000555. Shërbimi është i disponueshëm 24 orë çdo ditë të javës.

    2. Dyqanet e autorizuara të shoqërsië Vodafone Albania SH.A. gjatë orëve të punës së këtyre dyqaneve.

    3. Ankesë me shkrim të dërguar përmes shërbimit të postës në adresën zyrtare Shoqëria “Vodafone M-Pesa” SH.P.K., Autostrada Tiranë-Durrës, Rr. “Pavarësia”, Nr.61, Kashar, Tiranë.

    4. Postë elektronike duke dërguar ankesën në adresën e e-mail-it: mpesainfo.al@vodafone.com

Ankesat, në varësi të llojit, shqyrtohen nga strukturat përkatëse të shoqërisë Vodafone M-Pesa Sh.P.K., në bazë të informacionit të marrë nga degë apo sektorë të tjerë sipas rregullave përkatëse dhe zgjidhja jepet në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara në Kushtet dhe Afatet e ofrimit të Shërbimit M-Pesa.

Afati kohor për njoftimin e Klientit në lidhje me përfundimet e analizës së ankesës është deri 3 (tre) ditë pas marrjes së saj.

M-Pesa do të mbajë një regjistër të veçantë për ankesat e paraqitura dhe përgjigjet e dhëna, të shënuara me numër reference. Ky regjistër përmban ankesat, kërkesat apo sugjerimet me shkrim të Klientëve dhe përgjigjet, vendimet dhe masat e marra nga M-Pesa.

  1. Udhëzime në lidhje me trajtimin e kërkesave për Transaksionet e kryera dhe për gjendjen e Llogarisë M-Pesa

Klientët e regjistruar M-Pesa mund të informohen për gjendjen e Llogarisë së tyre në këto mënyra:

  • Nga aparati i tyre celular: Të gjithë Klientët e regjistruar M-Pesa mund të kontrollojnë gjendjen e Llogarisë së tyre si dhe 5 (pesë) Transaksionet më të fundit të kryera nga telefoni i tyre përmes të cilit marrin Shërbimet M-Pesa. Klienti mund të hyjë në menunë USSD te telefonit celular duke shtypur *555# dhe butonin e thirrjes për të vijuar më tej me hapat përkatës që tregojnë mënyrën e verifikimit të gjëndjes së llogarisë përmes menusë M-Pesa.

  • Duke telefonuar Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa në numrin pa pagesë 08000555 për të kërkuar informacion mbi gjendjen e Llogarisë së tij. Në këtë rast për të verifikuar identitetin e tij si mbajtës i Llogarisë, Klienti duhet t’i përgjigjet saktë pyetjeve të operatorit M-Pesa për vërtetimin e të dhënave personale të identitetit.

  • Duke vizituar një prej dyqaneve të autorizuara të Vodafone Albania SH.A. për të paraqitur Kërkesë për Pasqyrë të Transaksioneve. Kjo kërkesë mundëson marrjen e gjendjes së Llogarisë në formë të shtypur në letër për periudhë kohore të dëshiruar nga Klienti. M-Pesa rezervon të drejtën e vendosjes së një tarife për ofrimin e këtij shërbimi. Plotësimi i kërkesës bëhet në dyqan dhe Pasqyra e Transaksioneve duhet të tërhiqet përsëri në të njëjtin dyqan ku bëhet kërkesa brenda një harku kohor prej 7 (shtatë) ditësh pune dhe pas marrjes së një telefonatë konfirmuese nga Shërbimi i Dedikuar për Klientët M-Pesa.



  1. Udhëzime në lidhje me proçedurën për zgjidhjen e Marrëveshjes me shoqërinë Vodafone M-Pesa Sh.p.k. dhe mbylljen e Llogarisë M-Pesa

Zgjidhja e marrëveshjes me shoqërinë Vodafone M-Pesa Sh.P.K. dhe rrjedhimisht mbyllja e llogarisë M-Pesa mund të kryhet sipas rasteve të mëposhtëme:

  1. Me kërkesë të klientit/përfaqësuesit të autorizuar

Klienti ose përfaqësuesi i tij i autorizuar ligjor në mënyrë të shprehur me shkrim mundet të kërkojë zgjidhjen e kontratës me shoqërinë Vodafone M-Pesa Sh.P.K. dhe rrjedhimisht mbylljen e Llogarisë përkatëse M-Pesa.

Kërkesa mund të paraqitet në të gjithë dyqanet e autorizuara të shoqërisë Vodafone Albania SH.A. përmes plotësimit dhe nënshkrimit të një Formulari Kërkese për zgjidhje kontrate dhe mbyllje llogarie.

Në këtë rast, përpara përpilimit të kërkesës Klienti duhet të tërheqi vlerën gjëndje (nëse ka) në llogarinë e tij.

  1. Për shkaqe të tjera

Në rastet e parashikuara në Kushtet dhe Afatet e ofrimit të Shërbimit M-Pesa si dhe/ose në rastet e kryerjes së veprimtarive të paligjshme me llogarinë M-Pesa nga ana e Klientit, shoqëria Vodafone M-Pesa Sh.P.K. kryesisht apo me kërkesë të organeve shtetërore të autorizuara, mund të pezullojë dhe/ose mbyllë përfundimisht llogarinë Tuaj M-Pesa, dhe/ose bllokojë/anullojë fondet në gjendje.

Për tërheqjen e fondeve (nëse ka gjëndje) të një llogarie të mbyllur ndiqen hapat si më poshtë:

Klienti ose përfaqësuesi i tij ligjor i autorizuar në mënyrë të shprehur me shkrim paraqet kërkesën për tërheqjen e fondeve në një prej pikave të autorizuara Vodafone M-Pesa Sh.P.K. Pas miratimit të kërkesës dhe brenda 7 (shtatë) ditëve pune Klientit i bëhet transferimi i parave përmes një transferte M-Pesa në një numer që ai ka specifikuar në kërkesën e dorëzuar. Më tej, Klienti mund t’i tërheqë të hollat e transferuara në një prej pikave të autorizuara Vodafone M-Pesa Sh.P.K.

  1. Udhëzime në lidhje me proçedurën për anullimin e Transaksioneve M-Pesa

Klienti mund të kërkojë anullimin e një Transaksioni të kryer nga llogaria e tij/saj M-Pesa duke telefonuar Shërbimin e Dedikuar për Klientët M-Pesa në numrin pa pagesë 08000555 brenda një periudhe prej 3 (tre) orësh nga momenti i kryerjes së Transaksionit.

Arsyeja e kërkesës është se Klienti ka kryer një pagesë ndaj personit të gabuar (referuar si pala B) ose ka vendosur një shumë të pasaktë.

Për të filluar anullimin e Transaksionit është e domosdoshme që shuma e Transaksionit që kërkohet të anullohet të jetë plotësisht dhe jo pjesërisht e kthyeshme, që do të thotë se marrësi (Pala B) e ka këtë shumë të plotë si gjendje të disponueshme në Llogarinë e tij/saj.

Nëse plotësohen kushtet e mësipërme, atëhërë Shërbimi i Dedikuar për Klientët M-Pesa do të kontaktojë gjatë orarit 08:00 - 20:00 Klientin marrës (Pala B) për të marrë miratimin e tij për anullimin e Transaksionit.

Klienti marrës (Pala B) ka të drejtë të refuzojë anullimin e Transaksionit. Në këtë rast, transaksioni nuk mund të anullohet dhe shuma e transferuar nuk mund T’ju kthehet.

Faqe nga 9



База данных защищена авторским правом ©shkola.of.by 2016
звярнуцца да адміністрацыі

    Галоўная старонка